Festat, virozat dhe alkooli çojnë shkodranë në spital, 147 urgjenca
147 urgjenca mjekësore janë regjistruar në Shkodër në 72 orët e para të vitit 2022. Që nga djegiet me fishekzjarre, e deri tek përdorimi i tepërt i alkoolit e virozat e stinës, urgjenca mjekësore ka përballuar këto ditë një fluks të shtuar pacientësh.
Viti i ri ka nisur me dyndje qytetarësh që i drejtohen urgjencës së spitalit rajonal të Shkodrës.
Nga djegiet me fishekzjarre që u paraqiten 7 raste, një prej të cilëve në gjendje të rënduar, e deri tek intoksikimet si pasojë e abuzimit me alkoolin, ku u paraqiten rreth 40 raste, në këto 72 orë rekordin e mbajnë virozat, me mbi 100 vizita në 12 orë.
"Janë shtuar rastet e intoksikacioneve alkoolike, ditët e para kemi pasur dhe djegie me fishekzjarre shumë."
Ervisa Avdyli, mjeke e shërbimit të urgjencës në spitalin rajonal të Shkodrë, thotë se ato me shenja të ngjashme si Covid, mjekët i referojnë në repartin Infektiv.
Përzierja e virozave të stinës me koronavirusin, ka bërë që situata e krijuar të jetë kaotike, pasi shumica e tamponëve dalin negativ.
"Janë paraqitur shumë gjendje virale të cilat i adresojë te Urgjenca e Infektivit, shumica dalin tampon negativ, ndërsa rastet pozitive adresohen në kryeqytet për tu ndjekur më tutje".
Këshillat kryesore në këtë periudhë janë ato të shmangies së grumbullimeve dhe konsulta me mjekun, pasi festimet do të japin efektin e tyre duke shtuar rastet që paraqiten në spitale.
Moshat që paraqiten janë mikse, që nga fëmijët, të rinjtë e deri tek të moshuarit.

