Dedaj: Në 2022-in merret vendimi për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta
Gazetari i Ora News, Everest Dedaj ishte i ftuar në RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja. Për gazetarin Dedaj, viti 2022 është një moment i rëndësishëm politik.
Dedaj: Kjo për faktin se jo vetëm është paralajmëruar kulmimi i një debati të brendshëm në PD, por padyshim ka edhe zhvillime të tjera mjaft të rëndësishme që lidhen jo vetëm me arrestimin e Kokës dhe hetimet që vazhdojnë për aferën e incineratorëve por edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në 18 janar për sa i përket fatit të Ilir Metës. Është një moment i rëndësishëm për faktin se ky vendim vjen pak muaj para se Parlamenti të nisë procedurën e zëvendësimit të Metës si President.
Në gjykimin e Dedaj ajo që po konsumohet politikisht, ajo që politika po ushqen opinionin publik është një mundësi për shkarkimin e Metës.
Dedaj: Ky është një vendim i rëndësishëm dhe ndoshta për herë të parë Gjykata Kushtetuese përballet me një vendim të tillë.
Parlamenti i kontrolluar nga socialistët votoi shkarkimin e Presidentit Meta nga detyra më 9 qershor, menjëherë pas fushatës elektorale. Vendimi duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese që të marrë fuqi, ndërsa Meta e shpalli atë menjëherë antikushtetues. Nga 122 deputetë aktualisht me mandat në kuvend, 105 votuan pro shkarkimit të Metës. Sipas socialistëve, Meta ka shkelur kushtetutën duke u angazhuar me politikë aktive në deklaratat e tij para zgjedhjeve të 25 prillit, krime këto të konsumuara, sipas tyre, në 19 intervista, 9 deklarata dhe 45 postime.
