Aksidenti në Dibër: Arrestohet 27 vjeçari, shoferi i makinës ku udhëtonin 4 kushërinjtë: Njëri vdiq, 3 u plagosën
Policia ka arrestuar Premtim Hamzaj pas aksidentit të ndodhur mesditën e 3 janarit 2022 në Maqellarë të Dibrës ku humbi jetën kushëriri i tij ndërsa u plagos ai dhe dy kushërinjtë.
27 vjeçari ishte shoferi i makinës ku po udhëtonin 4 kushërinjtë nga Maqellara e Dibrës.
"Reth orës 11.30, në aksin rrugor Peshkopi-Maqellarë, ky shtetas duke drejtuar automjetin tip 'Volkswagen pasat', ka humbur kontrollin duke u përplasur me mbrojtëset anësore të rrugës" informoi policia e Dibrës.
Më pas makina përfundoi në një arë. Nga ky aksident humbi jetën Edison Hamzaj, 28 vjeç, ndërsa mbetën të plagosur Denis Hamzaj 22 vjeç, Alert Hamzaj 25 vjeç dhe vetë shoferi Premtim Hamzaj, 27 vjeç.
Premtim Hamzaj u arrestua në flagrancë informon policia ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Edison Hamzaj është viktima e parë e aksidenteve rrugore në ditën e tretë të vitit 2022.
