Kosova kërkon Green Pass, testi negativ anti-Covid kusht për të kaluar kufirin me Greqinë e Malin e Zi

Nga kjo e hënë, drejt Kosovës mund të udhëtojnë vetëm ata persona që kanë kryer dy doza vaksine anti-Covid, ndërsa nuk do të njihet asnjë dokument tjetër. Testi negativ ndërkohë është kusht për të kaluar drejt Greqisë e Malit të Zi për të gjithë udhëtarët.

Pasaporta e gjelbër me dy doza vaksine anti-Covid është kushti për të kaluar kufirin drejt Kosovës, ku prej kësaj të hënë, 3 Janar, kanë hyrë në fuqi masa të reja shtrënguese për përballimin e pandemisë së koronavirusit.

Çdo dokument tjetër apo test nuk do të njihet nga autoritetet në kufi.

Udhëtarët nga Shqipëria që nuk kishin dy dozat e vaksinës anti-Covid u kthyen pas në pikën kufitare të Vërmicës.

"Vetëm me një vaksinë nuk kalon, duhen dy. Unë të dytën e kam me 13 janar. Do të pres, nuk lënë me kalu."

Për ata që kanë marrë vetem një dozë vaksine dhe kërkojnë të futen në Kosovë, në të gjitha pikat kufitare ofrohet mundësia e vaksinimit.

"Vetëm të parën kemi bërë."

"Jemi vaksinuar."

Testi negativ për Covid 19 është kusht për të kaluar kufirin drejt Malit të Zi, ku autoritetet në Murriqan kthyen sërish punëtorët ditore nga Shqipëria.

Në 48 orët e fundit nga kjo pikë kufitare kanë kaluar 7400 qytetarë dhe 2700 automjete.

Fluksi i largimit të emigrantëve nisi edhe në pikat kufitare me Greqinë, ku kufiri kalohet vetem me test negativ për Covid, pavarësisht vaksimit.

3156  persona kaluan drejt Greqisë përmes Kakavijës të dielën dhe numri i udhëtarëve ishte i lartë edhe këtë të hënë.

Për shkak se pala greke punonte vetëm më një sportel në tokën neutrale u krijuan radhë dhe emigrantëve iu desh të presin gjatë për të kaluar kufirin.

3098 shqiptarë e të huaj ndërkohë dolën përmes Kapshticës, 2343 të tjerë nga pika doganore e Qafë Thanës.