Lukaku lëshon bombën: Dua të rikthehem te Interi. Chelsea merr mbrapsht Armando Brojën?
Në një intervistë tjetër pas asaj të dy ditëve më parë, lojtari belg flet më hapur, pa doreza dhe pranon se do të rikthehej te kampionët e Italisë dhe një lëvizje e tillë do të shkaktonte një zinxhirë transferimesh që mund të përshinte edhe Armando Brojën.
Por t’i marrim me radhë gjërat pasi fjalët e Lukakut janë të forta dhe ndoshta do të ndezin edhe më shumë situatën te Chelsea.
“Fizikisht jam mirë. Por nuk jam i kënaqur me situatën në Chelsea. Tuchel ka zgjedhur të luajë me një sistem tjetër, nuk jam i kënaqur me situatën, por jam profesionist dhe nuk mund të dorëzohem tani. Mendoj se gjithçka që ndodhi verën e kaluar nuk duhej të ndodhte kështu.., mënyra se si u largova nga Interi, si komunikova me tifozët e Interit, kjo më shqetëson sepse nuk ishte koha e duhur. Tani është koha e duhur për të ndarë ndjenjat e mia. Gjithmonë kam thënë se Interin e kam në zemër: E di që do të kthehem në Inter, shpresoj shumë. Jam i dashuruar me Italinë. Unë me të vërtetë shpresoj nga zemra që të kthehem në Inter jo në fund të karrierës sime, por kur të jem ende në nivelin më të lartë, të fitojmë më shumë së bashku. U kërkoj ndjesë tifozëve të Interit.”
Pra janë fjalë të forta nga Lukaku që duket se nuk do të riparojë raportet me trajnerin Tuchel dhe sot kërkon Interin.
Por nëse do të ndodhte që Lukaku të rikthehej te Interi, vetëm në huazim sepse vetëm me një formulë të tillë zikaltërit do ta afronin, Chelsea do të kërkonte një sulmues tjetër dhe këtu futet në skenë Armando Broja. Sulmuesi shqiptar po shkëlqen madje po bën më mirë se Lukaku dhe ndoshta drejtuesit do të ndërprisnin para kohe huazimin për ta rikthyer në shtëpi djaloshin e artë shqiptar. Të presim, Lukaku sapo i ka vënë zjarrin merkatos./Ora News/.
