Ministrja: Të dhënat personale janë kthyer në një lojë në telefonat e kujtdo. Ja çfarë do të ndodhë me e-Albania

Qeveria shqiptare mohon që e-Albania do të privatizohet, por sipas ekzekutivit me kompaninë private do të ketë bashkëpunim vetëm për sigurinë kibernetike. 

Ndërsa SPAK është në kërkim të autorit që nxori databazën e listëpagesave të qytetarëve shqiptarë, e-Albania po kërkon partnerë privatë për të menaxhuar të dhënat e shqiptarëve.

Sipas draft projektligjit të cilin "Ora News" e disponon portali qeveritar do t'ia delegojë kompetencat shoqërisë aksionare dg tech.

Po ashtu në draft thuhet se 49 për qind e aksioneve mund t'i kalojnë privatit, duke dhënë mundësinë e privatizimit. Por këtë fakt qeveria e mohon nëpërmjet ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

"Nuk ka një plan të tillë për privatizim të e-Albania," tha Balluku.

Por nga ana tjetër Ministrja Balluku e pranon që nga janari do të bashkëpunojë me një kompani të huaj.

"Ne kemi kërkuar mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha të sigurisë kibernetike, të "Johns group", e cila sot e ka një prezencë në Shqipëri. Prej 2 vitesh mbron të gjitha linjat e transmetimit të Republikës së Shqipërisë nga sulmet kibernetike, përmes një kontrate që ka me OST, është në një marrëveshje me KESH gjithashtu," tha Balluku.

Në projekligjin tashmë të publikuar në faqen e konsultimit publik thuhet se të gjitha shërbimet do të realizohen online ashtu si dhe lë evazive shërbimet që do të jenë me pagesë. 

Sa i përket faturës drafti parashikon që ato të jenë të arsyeshme.

Madje tarifë do të kenë dhe subjektet që kërkojnë ripërdorimin e të dhënave.