Emergjencë në drejtësi nga vettingu, përfaqësuesja e Apeleve: Humbjet alarmante, mund të futemi në kolaps

Shkarkimet nga vettingu e kanë çuar sistemin e drejtësisë në shqipëri në situatë emergjente. Përfaqësuesja e gjykatave të Apelit tha në takimin e përbashkët të organeve të qeverisjes së drejtësisë se shkarkimet që po vazhdojnë rrezikojnë ti çojnë gjykatat në kolaps. Gjendja kritike u pranua edhe nga krerët e KLGj dhe KLP, të cilët thanë se harta e re gjyqësore është një shpresë për zgjidhjen e situatës

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndodhet në një situatë alarmante si pasojë e shkarkimeve nga vettingu, të cilat kanë reduktuar stafin e gjykatave dhe prokurorive duke rritur  ngarkesën në punë dhe duke vonuar edhe afatet e përfundimit të çështjeve.

Në mbledhjen e përbashkët të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, përfaqësuesja e Gjykatave të Apelit, Brikena Ukperaj, tha se situata është ende pa zgjidhje pasi shkarkimet nga vettingu vazhdojnë.

Ukperaj: Ende nuk kemi një proces të përfunduar dhe humbjet në sistem janë alarmante deri në pikë sa mund të shkojmë ndoshta dhe drejt një kolapsi.

Drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi, pranoi mungesat e mëdha në sistemin e drejtësisë.

Ibrahimi: Vettingu është një politikë publike, që gëzon një legjitimitet të plotë, por pasojat e tij janë ato që janë. Ne e dimë se sot po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë drejtësisë në dyert e institucioneve të drejtësisë.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, nënvizoi se situata e krijuar ka vënë në pikëpyetje edhe motivimin në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë mbetur në sistem.

Llagami: Procesi i vetingut solli humbje të konsiderueshme në burimet njerëzore që po bëhen më të thella dhe po gërryejnë aftësitë për të qëndruar dhe motivuar kolegët. Kemi vetëm 2/3 e gjyqtarëve në sistem. Apelet janë thembra e Akilit sepse kapitalin e ngritur për 30 vite nuk e ngremë dot brenda natës.

Megjithëse drafti ka marrë kundërshtime të shumta nga avokatët, përfaqësuesit e organeve të drejtësisë thanë se e vetmja shpresë për zgjidhjen e situatës është harta e re gjyqësore.