E mashtroi se do ti lironte djalin nga burgu, 40-vjeçari përvetëson 200 mijë lekë
Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës për mashtrim. Në pranga ka rënë shtetasi I. G., 40 vjeç, banues në Korçë i dënuar më parë për vjedhje.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit" të shtetasit I. G., 40 vjeç, banues në Korçë i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja" njoftoi policia.
Sipas policisë, 40-vjeçari dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka përvetësuar 200.000 lekë, shtetasit S. H., 63 vjeç, banues në Kavajë, me pretendimin se do t'a ndihmonte këtë të fundit, për nxjerrjen e djalit të tij nga paraburgimi i IEVP-Korçë.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasi I. G., ka thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", pasi ka dalë nga banesa e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

