Vettingu kolapsoi gjykatat, Llagami: Apelet thembra e Akilit, kapitalin e 30 viteve s'e ngremë dot brenda natës

Procesi i vettingut ka kolapsuar sistemin e drejtësisë për shkak të largimeve të shumta nga radhët e saj.

Shqetësimi u ngrit nga kryetarja e KLGJ Llagami në mbledhjen e përbashkët vjetore me KLP.

"Procesi i vetingut solli humbje të konsiderueshme në burimet njerëzore që po bëhen më të thella dhe po gërryejnë aftësitë për të qëndruar dhe motivuar kolegët.Kemi vetëm 2/3 e gjyqtarëve në sistem. Apelet janë thembra e Akilit sepse kapitalin e ngritur për 30 vite nuk e ngremë dot brenda natës" tha ajo.

Ndërsa kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, se dy Këshillat janë solidarisht përgjegjës për menaxhimin e sistemit të drejtësisë.

"Kjo është mbledhja e parë e dy Këshillave, sepse të dy institucionet e menaxhojnë statusin dhe karrierën e magjistratëve. Është i nevojshëm një rakordim dhe interpretim ligjor midis nesh për menaxhimin sa më optimal të sistemit gjyqësor. Jemi familjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe çështjet që kemi zgjedhur për t'i trajtuar sot kanë ndjeshmëri publike".