Gjaku “u bë” ujë pas vrasjes, kushëriri e fqinji i Albi Bashaliut gënjyen policinë, ndihmuan autorët

Ekzekutorët e 32-vjeçarit Albi Bashaliu në Gjoçaj të Peqinit mbeten ende të lirë, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy të afërm të viktimës të cilët me veprimet e tyre i kanë ndihmuar.Një kushëri dhe një fqinj i të riut që dyshohet se u vra për hakmarrje gënjyen policinë dhe penguan hetimin në fazat e para.

Lidhja e gjakut me Albi Bashaliun i cili u ekzekutua në mes të fshatit Gjoçaj të Peqinit, nuk e ndikoi djalin e xhaxhait të 32-vjeçarit që të ndihmonte policinë për të identifikuar dhe arrestuar autorët.

41-vjeçari, Veiz Bashaliu, tentoi të mos përfshihet si dëshmitar për krimin që sipas të dhënave ka si shkak një hasmëri me një familje tjetër në të njëjtin fshat.

Kur ai u pyet nga policia si dëshmitar, fillimisht deklaroi se nuk kishte parë asgjë, pasi ishte shtrirë direkt në tokë pas të shtënave.

Edhe bashkëfshatarë të tjerë që mund të kishin dijeni për motivet e vrasjes tentuan të gënjejnë policinë.

Mikel Xhaja, u përgjua duke vendosur bashkë me të tjerë që të mos përfshiheshin si dëshmitarë.

"Më mirë të themi që nuk kemi parë e as kemi dëgjuar gjë", mësohet të jetë shprehur 30-vjeçari.

Këto qëndrime janë cilësuar nga policia veprime për të fshehur rrethanat e vrasjes së Albi Bashaliut dhe pengim i hetimit, çka përkthehet në ndihmë për autorët e vrasjes.

Ndaj Veiz Bashaliu dhe Mikel Xhaja, që të dy banorë të fshatit Gjoçaj, u vunë këtë të mërkurë në pranga.

Autorët e krimit ndërkohë mbeten në arrati, por burime në policinë e Elbasanit thonë se hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre janë intensive.

Ndihmë në këtë drejtim pritet të japin edhe shumë sende e gjurmë të autorëve që janë gjetur në makinën që ata dogjën pas atentatit, dhe mjetin e viktimës me të cilin u larguan dhe e braktisën në Gosë të Kavajës.

32-vjeçari Albi Bashaliu u vra mëngjesin e 27 dhjetorit pranë një lokali në fshatin Gjoçaj.

Hetimi është shtrirë në disa pista, por kryesore është ajo e vrasjes për hakmarrje

Vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu, vrau 6 muaj më parë bashkëfshatarin Ylber Xhahysa pas një konflikti për gërvishtjen e një makine.