"Limonada!"Ndotja e ujit të pijshëm ngre në këmbë Postribën, banorët: Të largojnë guroren
Ndotja e ujit të pijshëm ka ngritur në revoltë banorët e Postribës në Shkodër. Ata fajësojnë për situatën një gurore, lejen e të cilës e cilësojnë skandal të autoriteteve qëndrore e lokale.
"Limonada, ky është uji që pijmë ne."
Me ngjyrë dhe erë. Ky është uji i pijshëm që u shkon në çezma banorëve të Postribës në Shkodër.
Paraditen e së mërkurës në shenjë revolte ata bllokuan rrugën që lidh këtë njësi administrative me qytetin e Shkodrës.
Sipas banorëve, uji është ndotur nga gurorja që është ndërtuar afër Ujësjellësit të zonës.
"Uji është i papijshëm, faturat janë maramendëse. Nuk vë kush dorë. Është bërë një gurore lart dhe ka shkatërruar Ujësjellësin. Nuk ka filtër as klor.Ky ujë është mbushur mbrëmë. Është më i pastër uji i Kirit. Të vënë dorë të rregullojnë ujin në një kohë që e paguajmë dhe pse është e lartë fatura. Të jetë uji i pijshëm."
"Të largojnë guroren se do përplasemi shumë. Të dinë kush është Postricva, ka trima, ka djem dhe të gjitha".
Leja është dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe Energjitikës dhe ajo e Mjedisit, ndërsa akuzojnë edhe pushtetin vendor se ka heshtur përballë situatës që e quajnë skandal.
"Korrupsion, mjerë ne kush na drejton. Janë shpenzuar 1 miliard e 400 mln lekë me pi 10 mijë banorë ujë."
"Deyrohemi të blejmë 2 mijë lekë ujë në ditë."
Në rast të mungesës së zgjidhjes, protestat do të vijojnë.
"Do të shkojmë te gurorja të bllokojmë rrugën sepse marrin inertet."
"Në Hagë do ti çojmë, këtu ka korrupsion."
Por ndryshe nga banorët, një tjetër version ka administratori i Postribës Altin Shabaj.
"Në momentin që bie shi është problematikë edhe kur nuk ka qenë gurorja, uji turbullohet. Për pjesën e gurores, institucionet përgjegjëse duhet ta verifikojnë."
Janë 6 fshatra që preken nga ndotja e ujit, duke bërë që dhjetra banorë të detyrohen të blejnë këtë mall jetik për konsum.