Incineratori i Tiranës në hetim, Kraja: Vazhdon puna për zbardhjen e të vërtetës për 3 incineratorët
Hetimi për kontratat e koncesioneve të grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve nuk është mbyllur vetëm me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka dhe shpalljen në kërkim të aksionerëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja, deklaron se akuza po punon dhe për dy incineratorët e tjerë.
Pyetje: A ka hetim për inceneratorin e Tiranës?
Kraja: Ka hetim për të tre incineratorët.
Opozita ka akuzuar drejtëpërdrejtë kryebashkiakun Erion Veliaj për koncesionin e landfillit të Tiranës, por Kraja nuk jep emra për mediat.
Kraja: Kemi çështje të hapura për shumë elementë. Nuk mund të jap emra konkret.
Madje duke folur për punën e SPAK ai shprehet se do të ketë rezultate të tjera.
Madje ai preferon të mos i diferencojë të hetuarit për nga pesha që kanë.
Kraja: SPAK nuk ka koncept të "peshkut të madh”. Viti 2022 do jetë i vështirë për ata që shkelin ligjin.
Prokurimet do të jenë në qendër të vëmendjes, dhe sipas Krajës denoncimet vijnë prej disa burimeve.
Kraja: Për procedurat e prokurimeve publike kemi shumë procedime. Qoftë nga KLSH, biznesmenë apo individë. Në kemi çuar për ndjekje penale dhe jemi në pritje të një vendimi gjyqësor për strukturën më të lartë shtetërore që merret me menaxhimin e prokurimeve publike dhe do jemi të fokusuar. Kushdo që abuzon me fondet publike padiskutim do jetë subjekt hetimit.

