Vrasja e të riut në Peqin, dy të arrestuar për përkrahjen e autorëve

Dy ditë pas ekzekutimit të 32-vjeçarit Albi Bashalliu në Peqin, ngjarje e ndodhur me 27 dhjetor 2021, kanë ardhur dhe arrestimet e para.

Policia bën me dije se ka vënë në pranga 2 shtetas, të dyshuar si përkrahës të autorëve të krimit.

"Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur arrestimi i shtetasve:V. B., 41 vjeç dhe M. Xh., 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin" njoftoi policia.

Ora News mëson se janë arrestuar Veiz Bashaliu dhe Mikel Xhaja.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28 dhjetor  rreth orës 01:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima Bashalliu.

Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Poll