Kultivonin kanabis në Baldushk dhe e shisnin për 700 euro kg, një i arrestuar, tjetri në kërkim

Sekuestrohen 2 kg e 200 gramë kanabis në Baldushk. Në pranga ka rënë një 25 vjeçar ndërsa ëhstë shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

"Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. S., 25 vjeç, banues në Baldushk, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim, si dhe u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit I. Sh., 39 vjeç, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta" thotë policia.

Këta shtetas, sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kultivonin bimë narkotike në zona malore në fshatin Baldushk, e përpunonin dhe e shisnin lëndën narkotike te blerës të ndryshëm, kundrejt pagesës 700 euro një kilogram.

"Në zonën e Baldushkut, shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar dhe më pas arrestuar në flagrancë shtetasin N. S., 25 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa".  

Në vijim të kontrollit, në banesën e shtetasit I. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike (përforcues grushti), doreza plastike dhe maska.  

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.