"Mbështetja historike për VV", Kurti bën bilancin e 2021, përballja me pandeminë dhe shpresa për të ardhmen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bilancin e vitit që po lemë pas u fokusua tek përballja me pandeminë dhe nevoja e vaksinimit. Kurti tha se viti 2021 tregoi se qytetarët ishin dëshpëruar me ata që i udhëhoqën në të kaluarën dhe sipas tij në zgjedhjet e fundit nacionale i dhanë mbështetje Vetëvendosjes.
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të fundit për këtë vit. Teksa ka foluar për vitin që po e lëmë pas, kryeministri Albin Kurti ka nënvizuar përballjen me pandeminë COVID-19 dhe pasojat e saj.
“Secili vit i ka sfidat e tij, ky vit sikurse ai i kaluari u mbizotëruar nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizimi që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme, nuk mund të krahasohet me dhimbjet që disa prej nesh kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë nga ky virus. Në emër të Qeverisë edhe njëherë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura nga pasojat e COVID-19”.
Kryeministri shtoi se vitin 2021 do ta kujtojmë si vit në të cilin shpresa, besimi dhe vullneti për ndryshim u bënë bashkë dhe të pathyeshëm.
Sipas tij, qytetarët ishin dëshpëruar me ata që i udhëhoqën në të kaluarën dhe sipas tij në zgjedhjet e fundit nacionale i dhanë mbështetje Vetëvendosjes.
“Mobilizimi i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi dhe zemërimi ndaj atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, se sa e madhe është nevoja për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu. Le të jetë ky motivimi dhe udhërrëfyesi ynë për vitin 2022, le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë dhe të mos kursejmë asgjë për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveç se zotim i yni është pritshmëri e qytetarëve”.
Më herët Kryeministri Kurti publikoi një video-mesazh për mërgimtarët që këto ditë po vijnë në Kosovë, duke iu bërë thirrje të vaksinohen para se të hyjnë në Kosovë.

