Krishtlindje në mjerim, nëna me dy vajzat e mitura në Vlorë pa asnjë përkrahje, shtyn muajin me 50 mijë lekë
Krishtlindja nuk është një festë për të gjithë. Në familjen Lalaj në Vlorë është një tjetër ditë në mjerim. Donika Lalaj e ëma e dy vajzave të mitura, njëra prej të cilave me probleme shëndetësore është e detyruar ta kalojë muajin me 50 mijë lekë.
Gazetari Edi Ruçi, i cili ishte prezent ditën e sotme në banesën e familjes Lalaj thotë se anëtarët banojnë në një shtëpi të rrënuar dhe me lagështi. Shqetësimi më i madh i familjes është shëndeti i kryefamiljares Donika Lalaj dhe vajzës së vogël e cila ka trashëguar nga e ëma sëmundjen e epilepsisë.
Çdo muaj janë të detyruara të udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë mjekime dhe për të bërë kontrollet mjekësore. Zonja Donika tregon për Ora News se e ka të pamundur të punojë pasi vuan nga epilepsia dhe i duhet të kujdeset për 2 vajzat e mitura 6 dhe 9 vjeç.
Një tjetër problem që i shtohet familjes është bashkëshorti i zonjë Donika i cili e dhunon, pavarësisht se ajo ka urdhër mbrojtje.
Një muaj më parë, në nëntor asaj i është ndërprerë edhe ndihma ekonomike duke e lënë pa asnjë përkrahje. Pavarësisht ankesave asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
