Guardiola shtyn lojtarët drejt rebelimit: Duhet të bëjnë grevë që të dëgjohen
Në Premier League, vijon tradita me “Boxing Day”, ndeshje edhe gjatë festave dhe kështu ka qenë çdo vit.
Por këtë sezon, për shkak të shpërthimit të rasteve me covid-19 si rezultat i variantit Omnicron, ka plasur një debat i madh nëse duhej të ndërpritej kampionati apo jo.
Conte dhe Klopp janë shprehur se nuk duhej të luhej ndërsa disa trajnerë anglezë i kanë kundërshtuar dhe tani ka folur edhe Pep Guardiola.
Trajneri spanjoll shquhet për deklaratat e tij pa doreza dhe sot ka bërë edhe akuza të forta për këtë çështje. Ai gjithashtu jep dhe një zgjidhje të fortë për situatën.
“Lojtarët, trajnerët dhe drejtuesit, të gjithë së bashku duhet të bëjnë diçka, sepse vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Situata nuk do të ndryshojë vetvetiu, UEFA, FIFA, Premier League, të drejtat TV dhe biznesi janë më të rëndësishme se mirëqenia e lojtarëve. Secili vendos për vete. Po flasim për shëndetin e lojtarëve, ndoshta sindikatat duhet të thonë: “Ok, të mos luajmë derisa ta zgjidhim këtë situate". Unë mendoj se duhet të bëjmë një grevë, të japim një përgjigje edhe pse e di që nuk do të ndodhë”.
Nuk mjafton kaq për Guardiolën sepse ka edhe kritika të tjera e në fakt ka shumë të drejtë kur flet për rregullin e pesë zëvendësimeve.
“Po flasim për shëndetin e lojtarëve, por liga jonë është e vetmja që nuk pranon pesë zëvendësimet. Ne kemi vetëm tre. Si ka mundësi? Do të ishte shumë më mirë për të gjithë, duke pasur parasysh numrin e ndeshjeve që luajmë. Por Premier League dhe disa klube kanë vendosur të mos e bëjnë këtë”, u shpreh i zhgënjyer trajneri spanjoll./Ora News/.
