Akuza e fortë e Buffon: Pasi erdhi Ronaldo, te Juve nuk kishte më unitet
Gigi Buffon është ende në aktivitet teksa ruan portën e skuadrës së Parmës në Serinë B. Në një intervistë së fundmi ku 43-vjeçari foli për shumë pjesë të karrierës së tij të gjatë, ai ka prekur edhe temën e Ronaldos te Juventusi, duke thënë disa gjëra që kanë bërë shumë zhurmë.
“Juve pati mundësinë për të fituar Champions League vitin e parë që erdhi Cristiano, që ishte viti kur isha në Paris. Nuk mund ta di se çfarë ndodhi në atë moment.
Kur u ktheva, punova me Cristianon për dy vjet dhe bëmë mirë së bashku, por mendoj se Juve e humbi ADN-në që kishte si ekip. Kur arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve në 2017, ishte sepse ishim një ekip me përvojë dhe funksiononim si një të vetëm, kishim unitet. Kishte konkurrencë brenda grupit për një vend në njëmbëdhjetëshen në fushë. Por e humbëm me Ronaldon”, u shpreh Buffon.
Fjalë të tilla mund të interpretohen në shumë mënyra e gjithsesi portieri italian përpiqet t’i zbusë ato në një fare mënyre.
“Prania e Cristianos ndikoi shumë tek ne. Vetëm stërvitja me të na dha diçka më shumë, por në mënyrë të pandërgjegjshme lojtarët filluan të mendonin se vetëm prania e tij ishte e mjaftueshme për të fituar ndeshjet. Filluam të na mungonte paksa në punën tonë të përditshme, përulësia, sakrifica, dëshira për të qenë të përditësuar me shokun e skuadrës. Në vitet e fundit, mendoj se është e dukshme dhe e kemi parë sesi ka qenë ekipi”, deklaroi Buffon.
Tashmë pritet përgjigja e Ronaldos…/Ora News/.
