Vrasje në “arrest shtëpie”, Can Karriqi duhet të qëndronte në shtëpi por lëvizte lirshëm dhe me armë në Kamëz e Tiranë
Can Kariçi i njohur dhe me mbiemrin Karriqi, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme, shënon viktimën e rradhës në betejën e ekzekutimeve mes dy grupeve kriminale që veprojnë në kryeqytet.
Karriqi, shënon viktimën e 6 radhazi që është vrarë, ndërsa në tre nga atentatet policia ka mundur të zbardhë autorët e krimit.
Dhe në tre vrasje të tjera, policia ende nuk ka një person të identifikuar dhe arrestuar.
Ora News mëson se prej datës 26 mars 2021, Karriqi me vendim të gjykatës së Kurbinit, kishte lënë qelinë e burgut të Fushë-Krujës, ku ishte izoluar prej muajit shkurt, kur forcat e RENEA e arrestuan me një armë pa lejë në kompleksin “Arbëria” në Laç, pronar i së cilës është biznesmeni Ervis Martini.
34-vjeçari, sipas vendimit të gjykatës, duhet të qëndronte në “arrest shtëpie”, duke u monitoruar dhe nga oficerë të komisariatit Kamëz.
Por që nga periudha e daljes nga burgu e deri ditën e djeshme, faktet tregojnë se Karriqi, nuk ka qëndruar në “arrest shtëpie”.
Në vendin e gjykatës shkruhet se: "urdhërohet personi nën hetim, Can Kariçi, të mos largohet nga banesa e tij në lagja Nr. 1, rruga "Bulqiza", në emër të shtetasit Ramazan Kariçi, Bashkia Kamëz e mos largohet nga banesa pa lejën e organit të akuzës. Ngarkohet policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi…"
Por faktet treguan se ai lëvizte lirshëm në Kamëz dhe Tiranë. Aq më tepër që në lëvizjen e tij, u konfirmua se ai mbante dhe armë me vete.
Burime nga policia thanë për Ora News, se Karriqi para se të vritej është ndjekur në një distancë prej 1 kilometër nga autorët, duke e mbajtur në mbikqyrje.
Mbrëmjen e djeshme ai kishte lënë një takim me një vajzë, ku vendin për tu takuar së bashku e kanë lënë pikërisht në ambjentet e një lokali që administrohet nga një ish-deputet, Korab Lita.
Por teksa vajza ka shkuar dhe është ulur në lokal, ku e priste Karriqi, ky i fundit për një moment është ngritur dhe ka dalë jashtë, duke shkuar tek makina e tij.
Sapo ka hipur në makinë aty është afruar një mjet tjetër, ku personat brenda saj për një çast kanë folur me Karriqin dhe më pas qëlluan 4 herë me plumba drejt tij.
I riu nga Dibra por banues në Bathore të Kamzës, sipas policisë kriminale, njihej si shok i Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit, që një muaj më parë mbetën të vrarë në zonën e “Astirit” në Tiranë.
Autorët që besohet se kanë qenë dy, ku njëri ka qëlluar dhe tjetri ka drejtuar makinën, janë larguar me shpejtësi duke djegur automjetin “Audi” në zonën e Institutit në Kamëz.
Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe telefonat, ndërsa ende nuk ka një emër se kush mund të kenë qenë autorët.
Viktima njihet si person me precedent penal, kryesisht në vjedhje, mbajtje pa lejë të armëve dhe një vrasje të mbetur në tentativë.
Në 2018, Can Karriqi, qëlloi me armë zjarri në Kamëz, Roland Mustafaj, duke e plagosur rëndë atë.
Për këtë ngjarje, Karriqi është arrestuar dhe akuzuar nga prokuroria për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë, duke u dënuar në 2019 me 6 vjet burgim. Por në Gjykatën e Apelit, akuza ndaj tij ndryshoi duke u kualifikuar në “Plagosje tëg rëndë me dashje” dhe marë një dënim me 4 vjet burgim.
Ky ndryshim akuze erdhi edhe për shkak se Roland Mustafaj, deklaroi në gjykatë se Karriqi nuk kishte pasur qëllim që ta vriste dhe se me marrëdhënien e tyre ishin familjarizuar.

