“Foltorja” tensionon Gjykatën, dorëhiqet gjyqtari i çështjes, dosja pritet të shqyrtohet

Gjyqtari Agron Zhukri ka hequr dorë nga shqyrtimi i kërkesës për ndryshimet statutore në PD ku parashikohet shkarkimi i Lulzim Bashës sipas votimit të Kuvendit të 11 dhjetorit. Kërkesa është arsyetuar me shkaqe personale nuk është pranuar nga nënkryetari i Gjykatës. Togat e zeza bëjnë të ditur se çështja është në shqyrtim ndërkohë që gjyqtari Agron Zhukuri  i caktuar me short, nuk ka kaluar ende procesin e vettingut.

Kërkesa e Komisionit të Rithemelimit të PD për shkarkimin e Lulzim Bashës sipas votimit në Kuvendin e 11 dhjetorit, duket se ka vënë në pozitë të vështirë edhe Gjykatën e Tiranës.

Pas hedhjes së shortit, çështja i ra për shqyrtim gjyqtarit Agron Zhukri, por ky i fundit, pasi u njoh me dosjen, paraqiti heqjen dorë nga gjykimi i çështjes.

Burime nga gjykata thanë për Ora News, se Agron Zhukri nuk ka paraqitur ndonjë motiv të veçantë në heqjen dorë nga çështja, duke e argumentuar këtë qëndrim të tij me shkaqe personale.

Mesa duket për këtë arsye, nënkryetari i Gjykatës pasi u njoh me kërkesën e gjyqtarit për heqjen dorë nga çështja, vendosi mospranimin e saj.

Pas këtij vendimi, përfundimisht kërkesa e grupit të rithemelimit të PD për regjistrimin e ndryshimeve statutore dhe simbolet e reja të partisë, është në pritje për tu shqyrtuar nga gjyqtari Agron Zhukri.

Ky i fundit mësohet se është në pritje edhe për tu përballur me procesin e vettingut në tri kriteret e tij, për pastërtinë e figurës, profesionalizimin dhe burimin e pasurisë.

Më 13 dhjetor një grup përfaqësuesish të lëvizjes pro Sali Berishës paraqitën në gjykatë kërkesën me objekt "Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar”.

Kodi i procedurës civile parashikon se Gjyqtari, mund të paraqesë tek kryetari i Gjykatës heqjen dorë nga çështja nëse vlerëson me ndërgjegje se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në gjykim.

Në rast se kryetari i gjykatës, e sheh me vend kërkesën, urdhëron zëvendësimin me një gjyqtar tjetër, me anë të shortit ndërkohë që ka të drejtën edhe për ta rrëzuar kërkesën siç ka ndodhur në këtë rast.