Rama gjen armiqtë pas skandalit me pagat: Bravaxhinjtë, ahengxhinjtë, çelsaxhinjtë duan të nxisin armiqësinë e popullit ndaj meje

Kryeministri Edi Rama dyshon se pas këtij skandali fshihen qëllime politike për të kundërvënë shqiptarët kundër qeverisë së tij. Madje pranon  ngjashmërinë e rrjedhjes së databazë me të dhëna të patronazishtëve me databazën e pagave.

“Ngjashmëria me ngjarjen e mëparshme është në sytë e të gjithëve. Kam dhe një ide pse nuk është përdorur publikisht deri kur kanë mbaruar zgjedhjet por nuk është ide e imja dhe pse përdoret tani”

 Në këtë aspekt nuk la pa hedhur hije dyshimi të gjithë kundërshtarët e tij politikë edhe pse nuk i përmendi me emra.

“Që është patjetër për të krijuar konfuzion dhe nxitur armiqësi mes njerëzve dhe nesh është shumë e qartë. Por tua bësh njerëzve për të nxjerrë bravën nga çelësi apo futur çelësin në bravë apo se je bërë xheloz që ke ngelur jashtë bravës e çelësit dhe hedh gurin tënd që të mos merret njeri me bravën e çelësin apo për çfarëdo arsye tjetër është vetëm mundësi për të treguar njerëzve se deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë, ahengxhinjtë, çelsaxhinjtë, nga pikëpamja politike. Nga pikëpamja konkrete është çështje konkrete e sistemit. Ata kushdoqoftë bëjnë atë që dinë të bëjnë nuk është e re.”

Rama insistoi në një hetim tërësor dhe të thelluar.

“Por na duhet të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për infiltrim në sistemin tërësor të shërbimeve qeveritare. Ky nuk është sistem shërbimi, por sistem i brendshëm pune. Insistoj që prokuroria duhet të bëjë një hetim tërësor dhe gjithëpërfshirës. Kush ka lidhje me atë ekran duhet të kalojë filtrin e hetimit."