Tenderat e dyshimtë, dy të tretat e të ankimuarve janë në Bashkinë e Tiranës

Bashkia e Tiranës nuk i ka ndalur prokurimet e dyshimta, pavarësisht ultimatumit të dhënë prej kryeministrit Edi Rama.

Në raportin e muajit nëntor të Komisionit të Prokurimit Publik, janë ankimuar në total 64 procedura, nga të cilat 49 janë vetëm në Bashkinë e Tiranës.

Pas kryeqytetit, vijnë qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Beratit, në të cilat janë ankimuar nga vetëm 3 procedura për secilin.

Ndërkohë, Bashkitë që nuk kanë regjistruar asnjë ankimim janë Dibra, Korça, Kukësi dhe Shkodra.

Referuar buletinit mujor, të gjitha ankesat e paraqitura lidhen me procedurat e ndjekura në tendera.

Ankimimet sipas fazave kanë ndodhur ose gjatë vlerësimit të ofertave ose në fazën fillestare ku operatorët kanë pasur rezerva për specifikimet teknike në dokumentet standarde të tenderit.

Pikërisht kriteret e qepura si kostum për fituesit kanë qenë kritikat kryesore të kreut të qeverisë.

Sipas shifrave, 48 procedura janë ankimuar në fazën e vlerësimit të ofertave dhe 16 për specifikimet teknike të tenderave.

Komisioni i Prokurimit Publik bën gjithashtu të ditur se është marrë vendimi për 84 ankesa, ku janë pranuar 38, 32 janë refuzuar, për 12 është mbyllur çështja ndërsa 2 janë në përfundim të procesit administrativ.

Duket se raportimet e shumta në media në lidhje me tenderat kanë ndikuar në uljen me 20 ankesa krahasuar me muajin tetor.