Qeveria: Becchetti na ka marrë para në Itali, Angli dhe Francë, mund të bllokojë edhe pagesat e Eurobondeve
Qeveria shqiptare ka pranuar se biznesmeni italian, Francesco Becchetti , ka nisur të marrë paratë e fituara në Gjykatën e Arbitrazhit, e cila gjobiti shtetin tonë me 100 milionë euro për mbylljen e padrejtë të televizionit Agon Channel. Në dokumentin shoqërues të operacionit financiar të Eurobondit thuhet se Becchetti ka nisur të mbledhë paratë nga llogaritë dhe asetet e shtetit shqiptar në Angli, Francë dhe Itali. Kostoja e lartë e humbjes së gjyqit dhe ekzekutimi i saj rrezikojnë besueshmërinë financiare të Shqipërisë.
Humbja e gjyqit me biznesmenin Francesco Becchetti në Arbitrazhin Ndërkombëtar rrezikon besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Në prospektin e emëtimit të Eurobondeve, një dokument i Ministrisë së Financave lidhur me operacionin financiar ndërkombëtar, bëhet me dije se sipërmarrësi italian, Francesco Becchetti, mund të bllokojë edhe pagesat e lidhura me Eurobondet apo me instrumente të tjera të huamarrjes së jashtme.
Qeveria është detyruar të bëjë një shënim të veçantë për këtë çështje në dokumentin që iu është paraqitur investitorëve.
Në 2 prill të këtij viti Gjykata e Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anuluar vendimin në favor të 2 kompanive italiane dhe 4 shtetasve italianë, mes tyre dhe Francesco Becchetti.
Shuma që shteti shqiptar do t’ju paguajë këtyre subjekteve është 99.4 milionë euro, plus interesat.
Referuar dokumentit, përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Holandë.
Madje, në raport thuhet se Francesco Becchetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.
Dokumenti thekson se si me çdo çështje ligjore, nuk ka asnjë garanci se qeveria do të jetë e suksesshme në kontestimin e procedurave të mbledhjes së detyrimit dhe shuma e përfituar nga pretendentët mund të jetë edhe më e lartë se ajo që përmendet në dokument.
Nëse një vendim i formës së prerë për ekzekutimin e detyrimeve është nxjerrë ose do të nxirret në ndonjë nga juridiksionet dhe nëse një vendim i tillë ekzekutohet më pas, ai mund të ketë një efekt negativ në pozicionin financiar të qeverisë dhe të ndikojë negativisht në të ardhmen në vlerën e tregut të Eurobondit.
Shqipëria ka nisur një procedim penal ndaj Francesco Becchettit me akuzën e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.
Ky i fundit kundërshtoi akuzat dhe hapi një çështje kundër vendit tonë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe fitoi në të dyja shkallët e gjykimit.
Sipas deklaratave të tij, në prill të këtij viti shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin rreth 150 milionë euro.
Provat kryesore të paraqitura në Arbitrazh nga avokatët e bechettit lidhur me mbylljen arbitrare të televizionit Agon Channel kanë qenë mesazhet e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe zyrtarit të kryeministrisë Engjëll Agaci.
Ata bënin presione e paralajmërime ndaj pronarit të Agon Channel për shkak të kronikave dhe qëndrimit editorial të televizionit ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe Qeverisë.

