VKM nuk solli risi në tregun online, Pinderi: Kthimi i produkteve brenda 14 ditëve ka qenë, shqetësim informaliteti
Vendimi i fundit i qeverisë për ndryshimin e rregullave të tregtimit të produkteve online, për përfaqësuesit e këtyre subjekteve nuk përbën risi pasi përmban koncepte e detyrime që kanë qenë edhe më parë në ligj. I vetmi rregullim, që sipas tyre duhet të bejë shteti është kontrolli i tregut dhe pastrimi i tij nga informaliteti.
Tregu i shitblerjeve online në Shqipëri po zgjerohet gjithmonë e më shumë, por kjo së bashku me lehtësirat sjell edhe probleme lidhur me informalitetin apo edhe mbrojtjen e konsumtaorit.
Vendimi i fundit i Qeverisë përcakton se konsumatori ka të drejtë të ktheje produktin brenda 14 ditëve pa asnjë pagesë shtesë.
Megjithatë, Valer Pinderi, themelues i një prej kompanive më të mëdha të tregtimit online në vend, thotë se kjo nuk është risi pasi ka qenë edhe më parë e rregulluar me ligj.
"Nga aspekti ligjor nuk kemi ndryshim, jemi biznes që blejmë produkte dhe i shesim produkte konsumatorit. Forma e shitjes është online por nga ana ligjore kemi të njëjtat libra shitjesh siç ka një dyqan tradicional. Nuk jemi trajtuar asnjëherë ndryshe nga Tatimet."
Fokusi i qeverisë, thotë Pinderi, duhet të jetë kontrolli i informalitetit.
"Formalizimi i tregut është i nevojshëm, janë diku te 100 mln euro shitje në vit në këtë industri nga të cilat me siguri një pjesë e madhe janë informale. Kjo do të ndihmonte si shtetin dhe konsumatorin të kishte një cilësi më të mirë. Nga ana tjetër sulmi ndaj këtyre bizneseve nuk është pozitiv. Pavarësisht se unë jam i konkuruar padrejtësisht në këtë moment nuk mendoj se zgjidhja është ti sulmojmë por të ndihmojmë të formalizohet tregu."
Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton jo vetëm të drejtën e konsumatorëve për të kthyer produktin në afatin kohor të 14 ditëve, por edhe nëse subjektet tregtare nuk kalojnë fashën e 14 milionë lekëve nuk janë subjekt të tatim-fitimit.

