Ndryshon buxheti, 18.2 mld lekë fatura shtesë, për pensionistët sërish gjysmë gjeli

Edhe këtë fundvit pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim për festat e fundvitit pavarësisht se çmimet janë rritur. Për këtë bonus dhe atë të qirasë së banorëve të prekur nga termeti në Komisionin e Ekonomisë u miratuan ndryshimet në buxhet.  Fatura  shkon në 18.2 miliardë lekë.

Buxheti i Shtetit ndryshon për herë të gjashtë me kërkesë të qeverisë. Deputetët në Komisionin e Ekonomisë miratuan aktin normativ.

Shkak janë bërë shpërblimet për festat e fundvitit për 688 mijë pensionistë, bonusi i qirasë për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 si dhe  shlyerja e detyrimeve të prapambetura të ish-komunave.

"Shpërblim për festat e fundvitit  në masën 5 mijë lekë për 688 mijë pensionistët, me vlerë 3.5 miliardë lekë, që është vënë në dispozicion të ISSH, dhe do të bëhet efektive pas miratimit të projektvendimit përkatës. Kemi rritur me 7 miliardë lekë fondin për rindërtimin, janë vendosur 1.4 miliardë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore. 308 mln lekë për financimin shtesë të bonusit të qirave".

Por, opozita pretendon se ky akt normativ nuk është për pensionistët pasi vlera e shpërblimit për ta nuk ka ndryshuar.

Deputetja, Emilja Koliqi, deklaroi se qeveria duhet të rishikojë bonusin për këtë kategori.

"Nëse do e quajmë arritje se i japim pensionistëve shpërblimin është nevojë alarmante. 65 mijë familje me ndihmë ekonomike si do ti ndihmoni".

Opozita votoi kundër akti normativ me argumentin se shpenzimet e planifikuara nuk shkojnë për rritjen e ekonomisë së qytetarëve.  

Ish-zv/kryeministri, Erjon Braçe, kërkoi nga qeveria të gjejë një zgjidhje për ata që nuk vaksinohen pasi sipas tij nuk mund të vazhdojmë të blejmë teste.

"Të realizohen investimet deri në fund të nëntorit, 53% tregon ineficencë totale".

Ndërkohë, shumica e pyetjeve të ish-zv/kryeministrit Braçe, nuk mori përgjigje në Komision, por ministrja e Financave tha se do t’i vihen në dispozicion me shkrim.

Me aktin e fundit normativ, qeveria ka alokuar dhe 500 milionë lekë si transfertë specifike për 61 bashkitë e vendit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, një nga shqetësimet kryesore të pushtetit vendor.

Teksa të ardhurat dhe shpenzimet janë prekur, defiçiti buxhetor ka mbetur i pandryshuar dhe planifikohet në vlerën e 120.5 miliardë lekëve në fund të këtij viti.