Tenderin e fiton oferta më e lartë, Bashkia e Tiranës përjashton dy kompani nga gara, shkak kriteret

Në javët e fundit vihet re një rritje e pjesëmarrësve në tenderat e bashkive apo të ministrive. Megjithatë në rastet kur shumat janë të konsiderueshme vihet re sërish mungesa e konkurrencës.

Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion për ‘Rehabilitimin e portave të ujëlëshuesit dhe shkarkuesit katastrofik anësor të rezervuarit Gjyslikonjë’ rreth 312 mijë euro.

Në garë kanë marrë pjesë tre subjekte, por dy janë eliminuar jo për shkak të ofertës më të lartë, por për kriteret e posaçme.

Sipas dokumenteve zyrtare kompania Shendelli dhe Xhengo, janë përjashtuar nga gara as më shumë e as më pak por sepse nuk kanë pasur numrin e duhur të mekanikëve, saldatorëve apo dhe të hekurthyesve.

Fitues është shpallur operatori ekonomik “INA” me administrator shtetasin Ferdinand Çaushi dhe me ofertën prej 33. 2 milionë lekësh.

Por kjo nuk ka qenë vlera më e ulët, pasi një prej subjekteve të skualifikuar ka kërkuar 32.2 milionë lekë.

Tenderi në fjalë është mbajtur më 23 nëntor dhe kohëzgjatja për realizimin e punimeve do të jetë 45 ditë.

Megjithatë edhe kjo procedurë do t’i bashkëngjitet listës së gjatë të prokurimeve të dyshimta të Bashkisë së Tiranës.

Pavarësisht denoncimeve të shumta për raste të tilla ende nga SPAK apo prokurori të tjera nuk ka një hetim të rastit.

I vetmi rast ka qenë kur kryeministri Edi Rama ka kërkuar të hiqet dorë nga kriteret e qëllimshme që favorizojnë kompani të caktuara.