Thellohet rënia e euros, monedha europiane arrin nivelin e gushtit të vitit 2019

Tregu i këmbimit valutor ka pësuar një luhatje të fortë së fundmi me zhvlerësimin e euros, ndërkohë që leku ka vijuar të forcojë pozitat në raport me monedhën europiane dhe atë amerikane. Sipas Bankës së Shqipërisë, të enjten një euro u këmbye me 120.75 lekë, ndërsa një dollar është këmbyer me 106.61 lekë.

Rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun është thelluar edhe më shumë gjatë kësaj jave.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këtë të enjte një euro u këmbye me 120.75 lekë, duke arritur kështu nivelin e 5 gushtit të vitit 2019.

Në fillim të javës një euro u këmbye me 120.96 lekë, ndërsa në ditët në vijim monedha europiane vijoi rënien derisa arriti nivelin më të ulët të regjistruar gjatë 2 viteve të fundit.

Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar monedha europiane këmbehej me 123.61 lekë.

Niveli më i ulët i euros i regjistruar ndonjëherë në vend është shënuar në dhjetor të vitit 2007, kur monedha evropiane u këmbye me 120.18 lekë.

Kjo rënie shpjegohet kryesisht me kërkesën e pakët për euro në raport me prurjet e saj, të cilat ngelen në nivele të larta.

Nga kjo situatë përfitojnë huamarrësit në monedhën europiane që të ardhurat e tyre i kanë në lekë.

Ndërkohë ata që humbasin nga ky nënçmim janë kryesisht eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve dhe subjektet që kanë kursime në euro.

Rënie të vlerës në tregun e brendshëm kanë pësuar dhe dollari, paundi britanik dhe franga zviceriane.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha amerikane këmbehet me 106.61 lekë, paundi britanik me 141.81 lekë, ndërsa franga zvicerane ka arritur në kuotat e 115.47 lekëve.