Kardhiq-Delvinë në KPP, operatorët pjesëmarrës në garë: Kompania fituese nuk përmbush kriteret

Pak pasi mori miratimin, tenderi prej 281milionë lekësh për ndërtimin e lotit 8 të segmentit rrugor Kardhiq-Delvinë është ankimuar në KPP nga operatorët pjesëmarrës në garë. Sipas tyre, kompania që u shpall fituese nuk përmbushte kriteret procedurës së tenderit. Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë se cila nga palët ka të drejtë, por ndërkohë kjo ankesë ka sjellë të tjera vonesa në përmbylljen e punimeve në këtë aks rrugor.

Pak javë pas miratimit të tij, ka ardhur ankimimi i tenderit për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë me fond limit 281 milionë lekë, që u zhvillua gjatë muajit nëntor.

Bëhet fjalë për lotin 8 të këtij aksi, i cili është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “R.S.& M” SHPK & “SI.SI.-AL” SHPK.

Sipas dokumentit zyrtar, dy kompanitë kundërshtojnë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi kualifikimin e ofertës së paraqitur nga operatori ekonomik fitues “Jubica” SHPK dhe kërkojnë anulimin e këtij vendimi.

Operatorët nuk janë dakord me vlerësimin e pikëve për ofertën e tyre, ndërsa ngrenë pretendime për mospërmbushje nga ana e fituesit të kritereve të tenderit.

Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomik dhe është shpallur fitues subjekti ‘ Jubica SHPK’, i cili ka ofruar 220 milionë lekë.

Kompanitë e tjera janë skualifikuar pasi nuk kanë mjetet, pajisjet dhe stafin e nevojshëm për procedurën e prokurimit.

Ndërkaq, disa nga Kompanitë e tjera pjesëmarrëse nuk kanë paraqitur dëshmi për punime të ngjashme me këtë procedurë.

Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë se cila nga palët ka të drejtë, por ndërkohë kjo ankesë ka sjellë të tjera vonesa në përmbylljen e punimeve në këtë aks rrugor.

Segmenti Kardhiq-Delvinë është ndër akset rrugore që qeveria po ndërton me fonde të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit dhe jo përmes një Partneriteti Publik Privat.