Shushica "shkërmoq" urën e Kallaratit, investimi i fundit para tre vitesh, tenderi me flamur të kuq

Reshjet e shiut nuk kursyen as urën e fshatit Kallarat në Himarë, e rikonstruktuar vetëm 3 vite më parë.

Prurjet e lumit Shushicë kanë gerryer njerën këmbë të urës e për pasojë ajo u mbulua nga uji, duke izoluar plotësisht banorët e kësaj zone.

Denoncimi është bërë dhe nga deputeti i zonës, Arbi Agalliu, i cili thotë se kjo urë, është ndërtuar para 5 vitesh dhe sot banorët e saj kanë mbetur të izoluar për shkak të abuzimit që bëhet me ndërtimin e këtyre veprave publike.

Duke iu referuar edhe dokumenteve, tenderi me objekt  ‘Rikonstruksioni i urës së varur të fshatit Kallarat’ i zhvilluar në tetor të vitit 2018 rezulton në listën e procedurave me flamur të kuq me shënimin mungesë konkurrence.

Kjo pasi në tender ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili është shpallur automatikisht dhe fitues për rikonstruksionin e urës.

Kontrata është fituar nga operatori ‘2Z KONSTRUKSION SHPK’ me administrator shtetasin Zani Zoga. Fondi i ofruar nga kjo kompani është 2.1 milionë lekë, gati i barabartë me fondin limit të përcaktuar nga autoriteti kontraktor që në këtë rast është Bashkia Himarë.

Kohëzgjatja e punimeve ka qenë për një periudhë 3-mujore. Pas shembjes se ures, referuar dokumentacionit te tenderave dhe procedures qe rezulton me flamur te kuq,  dyshimet per shkakun bien mbi cilesine e punimeve ne kete objekt.

Shembja e urës ka bërë që rreth 100 familje në fshatin Mesaplik dhe rreth 30 familje të fshatit Kallarat të mbeten të bllokuar prej fundjaves.

Problemi për banorët bëhet eshte me i madh në rast te ndonjë shqetësim shëndetësor, ndaj pritet ndërhyrja nga ushtria dhe emergjencat civile të Bashkisë për zgjidhjen e situatës.