“Misteri” i tenderit për pajisjet dentare, anulohet përkohësisht, kompania e përjashtuar rifutet në garë

Edhe pse e kishte skualifikuar më herët nga procedura për pjesëmarrjen në tenderin për blerje të pajisjeve dentare, në mënyrë të çuditshme Komisioni për Prokurorimin Publik e ka rikthyer në garë. Kompania u përjashtua për mungesë të dokumentacioneve, por çuditërisht u pranua duke e plotësuar dosjen e kërkuar para shpalljes së fituesit të tenderit.

Pas ankimimit të operatorit të vetëm pjesëmarrës në tenderin me objekt ‘Pajisje dentare për kujdesin e fëmijëve’, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur  që autoriteti kontraktor të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit.

Ka qenë vetë Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ai që ka pranuar plotësisht ankimimin e bërë nga kompania ‘Moto - Mania SHPK’ me administrator shtetasin Albert Ballabani.

Pranimi i pretendimeve të këtij operatori ekonomik është bërë pasi autoriteti kontraktues ka shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur për arsyet për të cilat u skualifikua.

Referuar ankesës operatori është përjashtuar pasi nuk ka paraqitur librezën e punës për inxhinierin dhe se diploma e paraqitur për këtë punonjës nuk është në përputhje me kriteret e veçanta të dokumenteve të tenderit.

“Misteri” i tenderit për pajisjet dentare, anulohet

Operatori i ka paraqitur Ministrisë së Shëndetësisë diplomën e Bachelorit në Inxhinieri Mekanike dhe një vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore e inxhinierit, e cila vërteton punësimin e tij në “Moto Mania” shpk.

Në argumentimin e tij, operatori ekonomik sqaron se dokumentacioni për të cilën u skualifikua i dorëzohet pasi ai të shpallet fitues.

Por, autoriteti kontraktor pas skualifikimit të kësaj kompanie ka vendosur të anulojë procedurën  me arsyetimin se nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.

Tenderi për blerjen e pajisjeve dentare, i hapur më 13 tetor të këtij viti kishte një fond limit prej 11.4 milionë lekë, ndërsa operatori ekonomik “Moto Mania” shpk ka ofruar 9.2 milionë lekë.