Daja kërkon merkato me veton e tij. Shkëmbi: Ose merkato ose ikën trajneri
Derbi duket se ka thelluar krizën te Dinamo që është në pozita shumë të vështira në Superiore. Pas tre humbjeve radhazi, Bledi Shkëmbi është në diskutim në krye të Dinamos teksa ai pohoi në një fare mënyre se situata merr zgjidhje vetëm në dy mënyra, ikën ai ose klubi ndërhyn në merkato.
“Vazhdojmë të gabojmë dhe të vuajmë në çdo ndeshje. Patëm raste të mira shënimi, por nuk ia dolëm dhe më pas pësuam, duke u rënduar edhe më shumë psikologjikisht. Po të shënonim, isha i bindur që do të kalonim këtë moment të vështirë, por nuk ia dolëm. Na ka ndodhur shpesh që në momentet më të mira tonat, ne jo të pësojmë, por ta dhurojmë vetë golin, ndaj mendoj se ndoshta ndikon edhe gjendja psikologjike. Dinamo është një grup i fortë dhe nuk ka asnjë problem brenda skuadrës, por ndoshta duhet pak më shumë kohë që të arrijmë aty ku duhet dhe të dimë të përballojmë edhe momentet më të vështira. Si dilet nga kjo situatë? Në futboll gjërat zgjidhen ose me merkato, ose ikën trajneri. Janë edhe dy ndeshje, ku unë besoj që do të arrijmë të ndryshojmë diçka, pasi në skuadër ka burra dhe ka elementë për të nxjerrë skuadrën nga situata që jemi”, u shpreh Shkëmbi pas derbit.
Ne kampin tjetër, Ilir Daja foli me elozhe për skuadrën dhe punën që po bëjnë e sa për merkaton e pranoi se do t’i pëlqente të kishte përforcime por në fund të vendoste ai.
“Në gjashtë javët e fundit kemi marrë katër fitore, një barazim dhe humbjen në Shkodër. Djemtë kanë bërë maksimumin, kemi pasur kontrollin e lojës dhe shumë situata para portës. Finalizimi nuk ishte në nivelin e duhur. Pas kësaj ecurie pozitive jemi të detyruar të rikuperojmë pikët që kemi lënë në fazën e parë. Ndoshta ky është presioni që kanë futbollistët para portës. Merkato ? Jemi përqendruar te grupi që kemi në dispozicion. Renditja na tregon që duhet të bëjmë merkato, por jo për të larguar lojtarë, por për të plotësuar ato reparte ku kemi më shumë nevojë. Punojmë në staf, por pa, miratimin tim, nuk do të afrohet ndonjë lojtar. Të shpresojmë që të gjejmë lojtarët e duhur. Sfida Laçi-Tirana? Duhet të shikojmë ndeshjet tona. Në një moment të tillë, na leverdis barazimi, sepse të dy ekipet do të ishin minus dy pikë. Shpresoj, për interesin tone, të shkojë drejt barazimit.”, deklaroi trajneri i Partizanit./Ora News/.
