Derbi me emocione, Partizani rrëmben 3 pikë ndaj Dinamos në “Air Albania”

 
Partizani dhe Dinamo zhvilluan një betejë të vërtetë në fushen e blertë të “Air Albania” për të marrë fitoren që në fund e mori ndoshta me meritë skuadra e Ilir Dajës.

Të kuqtë u imponuan 1-0 ndaj Dinamos me një gol të Esat Malës por 90’ minutat ishin shumë emocionuese, të denja për një derbi.

Në fillim të pjesës së parë brenda 2 minutave, Junior dhe Rrapaj i afrohen dy herë golit por Bakaj tregohet shumë në formë ndërsa sërish portieri dinamovit i mohon golin në 29’, Stenio Junior në mënyrë fantastike.

Edhe Teqja bën heroin në 34’ kur Mihana del i vetëm para portierit të Partizanit, i cili i mohon një gol të sigurtë “nëndetëses blu”.

Edhe pjesa e dytë nis me dy raste shumë të mira për të dyja skuadrat, Marku në njërin krah dhe Ibraimi në anën tjetër por sfida mbetet ende 0-0 edhe pas kaq shumë rasteve.

Në minutën e 67’ ndërpritet disa momente sfida për një parrullë të tifozëve të Dinamos që cilësohet si me përmbajtje politike dhe në 72’ vjen goli deçiziv i sfidës.

Esat Mala asistohet mjeshtërisht nga Cara dhe vihet i vetëm me portierin Bakaj, të cilin e mposht me një goditje të saktë në anësore.

Ndeshja hapet edhe më shumë pas golit teksa Partizani shënon edhe me Junior që më pas anulohet nga arbitri e gjithsesi në fund rezultati mbetet 1-0 me të kuqtë që tashmë i bashkohen Laçit të vendit të katërt me 18 pikë në renditje./Ora News/.