Kaosi te Legia, lojtarët kërkojnë prishjen e kontratave. A do ta bëjë Muçi?!

Legia e Varshavës është në një situate kaotike. Teksa trajneri Marek Gołębiewski është pranë dorëheqjes nga drejtimi i skuadrës, hallet shtohen për klubin pas incidenteve të rënda që ndodhën një ditë më parë ku tifozët u futën në autobusin e ekipit duke goditur 3 lojtarë.

Ernest Muçi, Jurgen Çelhaka dhe Lirim Kastrati mbetën të papërfshirë në këtë situatë por sot vijnë lajme të tjera jo të mira.

Mësohet nga shtypi vendas se disa lojtarë po mendojnë për ndërprerjen e menjëhershme të kontratave pas sulmit që pësuan nga tifozët e skuadrës mbrëmjen e kaluar.

Madje nëse disa po e mendojnë, një prej tyre ka kaluar direkt në aksion teksa ka marrë një agjenci avokatësh për të shqyrtuar prishjen e menjëhershme të kontratës nën rrethana të caktuara, siç ishin ato që përjetuan një ditë më parë.

Bëhet fjalë për sulmuesin e ekipit, Emreli i cili do të prishë menjëherë kontratën sapo avokatët të japin “Ok” dhe ky mund të jetë akti i parë i një eksodi masiv.

Shembullin e tij mund ta ndjekin shumica, e ndoshta edhe Ernest Muçi, Çelhaka apo Lirim Kastrati./Ora News/.