Vjosa tërhiqet/ Shtëpitë të mbuluara në baltë, banorët: Uji i ka marrë të gjitha, s'kemi ku të flemë

Vjosa nisi të tërhiqet në shtratin e saj natyral në Urën e Mifolit, dhe banorët në fshatrat e Fierit e Vlorës u drejtuan për në shtëpitë e tyre.

Por rikthimi ishte i vështirë për familjet e fshatit Ferras në Fier. Uji që arriti gati 1.5 metra të dielën kishte përmbytur gjithçka që ata kishin.

"Brenda është futur afërsisht një metër e gjysmë ujë."

Të pashpresë u munduan që të shpëtojnë ç’të mundnin.

"Çdo gjë e ka zënë uji."

Natën e kaluan nëpër makina ose tek të afërmit.

"Kam ikur e kam fjetur lart në makinë."

Gishtin e përgjegjësisë e drejtojnë nga shteti ai që duhet t’i kishte ndihmuar shumë herë, por që për ta nuk ishte kurrë aty.

"Kemi nevojë për shumë gjëra. Se çfarë zgjidhje do bëhet nuk e di."

Situatë dramatike edhe afër Urës së Mifolit në anën e Vlorës.

Banorët nga shtëpitë nxjerrin vetëm ujë e baltë.

Fatmirësisht theksojnë se nuk u përsërit situata e vitit 2015, por dëmet janë të mëdha.

"Për shkak të argjinaturës ne na vjen niveli i ujit më lartë. Nuk jemi të përfshirë në projektin e argjinaturës."

Përgjegjës nuk bëjnë natyrën, por shtetin.

"Siç shikohet në vend ka ardhur uji brenda, nuk na ka lënë asgjë, as për të fjetur, as për të ndenjur."

Këtë të hënë u tha se nisi edhe procesi i  verifikimit të dëmeve, në ditën që zonat e përmbytura i vizitoi kryeministri Edi Rama.