Dyshohen se vranë biznesmenin Rakip Rroli në Kurbin, arrestohen babë e bir, në pranga dhe një person i tretë

Babë e bir, Skënder dhe Llej Lika, janë arrestuar ditën e sotme pasi dyshohet se janë autorët e vrasjes së biznesmenit Rakip Rroli. 

Burime bëjnë me dije se ata janë prangosur në zonën e fushë Milotit nga forcat policisë të komisariatit te Kurbinit.

I ndaluar për vrasjen e biznesmenit është dhe një person i tretë, i identifikuar si K.Gj. Sipas burimeve ky i fundit dyshohet ndihmoi babë e bir të përfshirë në vrasje.

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 10.12.2021, në Sanxhak, Kurbin, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R(P).R., 55 vjeç, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe se autori i dyshuar i vrasjes së 55- vjeçarit është shtetasi Ll.L., 22 vjeç dhe bashkëpunëtorët babai i tij shtetasi S.L., 56 vjeç dhe shoku i tij shtetasi K.Gj., banues në Kurbin."- njofton policia. 

55 vjeçari Pilot Rroli, i njohur dhe si Rakip Rroli u ekzekutua me armë në orën 08: 45 minuta të 10 dhjetorit 2021, teksa lëvizte me makinën Audi Q7 me targa AA001TB, në aksin e vjetër rrugor që lidh Laçin me Mamurrasin, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.

Nga të dhënat paraprake viktima kishte dalë nga banesa e tij në rrugën që kalon mes fshatit.

Pak orë më pas burimet nga policia thanë se babë e bir, Skënder dhe Ilaj Lika janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë ekzekutorët e 55 vjeçarit. 

Të paktën 7 plumba në trup i kanë shkaktuar vdekjen Rakip Rrolit. Në momentin e sulmit, ai ka tentuar të largohet por nuk u ka shpëtuar plumbave.