PD e re me simbole të vjetra, Kuvendi i Berishës ndryshon vulën dhe siglën e Partisë Demokratike

Sali Berisha me thirrjen për rithemelimin e Partisë Demokratike rikthen vulën dhe simbolet e vjetra të kësaj partie, duke tentuar kështu shmangien e debatit me Lulzim Bashën për vulën e partisë. Kuvendi i Partisë Demokratike i thirrur nga liderik historik i demokratëve për të shpallur rithemelimin e kësaj partie miratoi rikthimin e vulës dhe siglës së partisë, dhe miratoi nen për nen statutin e ri të PD-së. Kuvendi miratoi Komisionin e Rithemelimit të PD-së, ndërsa shkarkoi nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryesinë, po ashtu me votë të fshehtë, u votua edhe për shkarkimin e Lulzim Bashës. Ndërkohë më 22 mars, mblidhet përsëri Kuvendi për të zgjedhur strukturat e reja te PD-së.
 

Kuvendi i 11 dhjetorit të Sali Berishës i ka dhënë fund vulës që mban në zyrë Lulzim Basha. Me miratimin e statutit të ri nga 4935 delegatë demokratë në stadiumin "Air Albania", Kuvendi ka rikthyer logon dhe vulën e vjetër të PD me të cilat u themelua 31 vite më parë në Qytet Studenti.

Pas votimit të fshehtë në stadium për shkarkimin e Lulzim Bashës, do ta ketë radhën anëtarësia për ta shkarkuar me referendum, i cili do të mbahet me 18 dhjetor, në të njëjtën ditë që Basha ka thirrur Kuvendin e tij.

Gjatë punimve të këtij Kuvendi janë anuluar edhe vendimet e tij, siç është ai për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat.

Së bashku me kryetarin janë shkarkuar edhe 4 nënkryetarët e tij nga funksioni, sekretarin e Përgjithshëm, dhe kryesinë e PD-së, me arsyen se nuk janë zgjedhur sipas statutit.

29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, deputetë dhe ish- deputetë me në krye Sali Berishën do të marrë në dorë partinë deri me 22 mars të 2022, kur do të mbahet Kuvendi për të zgjedhur organet drejtuese së bashku me kryetarin e ri të partisë.

Dokumenti me 67 nene ka vendosur shkarkimin e kryetarit të partisë nëse humbet zgjedhjet parlamentare dhe në rast se nuk fiton zgjedhjet lokale atëherë drejtuesi i partisë do të votëbesohet me votë të fshehtë në Kuvendin Kombëtar.

Kryetari qëndron në detyrë nësë votëbesohet nga jo më pak se 70% e anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.

Statuti ri rikthen primaret në parti nga baza drejt qendrës, “legalizon” fraksionet në parti, si dhe ul numrin e anëtarëve të organeve drejtuese.

Anëtarët demokratë do të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre për çështje të rëndësisë së veçantë nëpërmjet referendumit, i cili mund të thirret nga Kuvendi, Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe mund të kërkohet nga jo më pak se 7 mijë firmëtarë të partisë.