Rrëshqitja e gurëve në Torovicë, tre vite pas tragjedisë me tre viktima, asnjë masë parandaluese
Stina e reshjeve ka rikthyer alarmin e rrëshqitjes së dherave dhe gurëve në Torovicë të Lezhës. Banorët thonë shkëputja e shkëmbinjve është e vazhdueshme dhe veç tyre shtëpive rrezikon edhe kalimtarët.
Këta gurë ranë nga mali në oborrin e kësaj banesë në Torovicë të Lezhës, pak ditë më parë duke rrezikuar tragjedi.
"Jemi sot, po s'jemi nesër."
Stina e reshjeve ka rikthyer fenomenin e frikshëm të shkëputjes së shkëmbinjve duke vënë në alarm banorët që jetojnë aty.
Thonë se jo vetëm jeta e tyre por edhe kalimtarëve është e rrezikuar.
"Rreziku është atje lart, ka 20-30 gurë që janë komplet të varur. Këta kanë rënë, shyqyr Zotit nuk ka pasur asnjë makinë, nuk kemi qenë as ne dhe nuk ka bërë dëme."
Rrëshqitja e gurëve dhe dherave është shqetësim i vjetër, por banorët thonë se autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për ti dhënë zgjidhje.
"Kanë thënë për shumë vite se do bëjnë diçka. I kemi thënë nëse nuk keni mundësi, na jepni leje të bllokojmë rrugën, të blejmë dinamitin dhe i hedhim vetë poshtë."
Në tetor të vitit 2017, rrëshqitja e gurëve shkaktoi një tragjedi në Torovicë.
Një masiv shkëmbor ra mbi një makinë duke ju marrë jetën dy vëllezërve dhe bashkëshortes shtatzënë të njërit prej tyre.
