Atentat në Sanxhak të Kurbinit: Biznesmeni ekzekutohet brenda në Audi Q7. Babë e bir në kërkim
Kurbini u trondit sot në mëngjes nga një atentat të ndodhur në Sanxhak.
55 vjeçari Pilot Rroli, i njohur dhe si Rakip Rroli u ekzekutua me armë në orën 08: 45 minuta të 10 dhjetorit 2021, teksa lëvizte me makinën Audi Q7 me targa AA001TB, në aksin e vjetër rrugor që lidh Laçin me Mamurrasin, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.
Nga të dhënat paraprake viktima kishte dalë nga banesa e tij në rrugën që kalon mes fshatit.
Pasi kishte ecur vetem një 1 kilometër, dy persona që besohet se lëviznin në këmbë i kanë zënë pritë në mes të zonës së banuar dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku dhe viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në ndihmë të Policisë lokale u nisën grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pak orë më pas burimet nga policia thanë se babë e bir, Skënder dhe Ilaj Lika janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se janë ekzekutorët e 55 vjeçarit.
Të paktën 7 plumba në trup i kanë shkaktuar vdekjen Rakip Rrolit. Në momentin e sulmit, ai ka tentuar të largohet por nuk u ka shpëtuar plumbave. Pamjet tregojnë sulmin me breshëri mbi xhamin e parë të makinës dhe në krahun e pasagjerit.
Burimet thonë se një nga pistat e hetimit është aktiviteti i dy djemve por nuk përjashtohet si pistë hetimi konfliktet e 55 vjeçarit ndër vite.
Te gjitha zhvillimet
Ora 15:20 Konflikti me familjen Lika
Pas veprimeve të para në vendngjarje, dhe mbi bazë të dëshmive dhe informacioneve, burimet thonë se policia ka ngritur dyshime se pas krimit qëndrojnë anëtarë të familjes Lika me të cilën kanë pasur përplasje ndër vite.
Burimet thonë se djali i Skënderit ishte dhunuar nga një prej tre djemve të 55 vjeçarit për motive që ende mbeten të paqarta.
Ndërsa një tjetër burim tha se fëmijët e viktimës kanë qenë të dyshuar edhe për plagosjen e babait të Ilir Likës Xhepajt.
Ora 10: 39 Biznesmeni u ekzekutua me 7 plumba në Kurbin, djali i viktimës bëri aksident duke shkuar në vendin ku i vranë babanë
Burime për Ora News bëjnë me dije se nga 7 plumba kanë goditur trupin e viktimës Rakip Roli
Autorët, të cilët mendohen të kenë qenë 2 persona kanë lëvizur në këmbë.
Mjeti i djalit të viktimës është përplasur me një shtyllë në tentativë për të shkuar sa më shpejt në vendin e ngjarjes.
Ora 10: 30 Autorët e kishin ruajtur
Gazetari i Ora News, Elvis Hila raporton se atentati ka ndodhur në aksin e vjetër rrugor që lidh Laçin me Mamurrasin, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.
Viktima Ka qenë duke lëvizur me një automjet luksoz Audi Q7, AA001 TB kur është qëllur nga atentatorët. 55 vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se Rakip Rroli është qëlluar me breshëri automatiku. Autorët duket se e kanë ruajtur sapo ka dalë nga rrugica e banesës për në rrugë kryesore. Pasi është qëlluar automjeti ka lëvizur në distancë 100 metra dhe ka përfunduar në kanalin ngjitur me murin rrethues të një banese.
Ora 10:13 Policia ka dy emra si autorë të dyshuar të atentatit në Sanxhak të Kurbinit
Burime nga policia bëjnë të ditur se janë identifikuar autorët e dyshuar të ekzekutimit të 55 vjeçarit në Sanxhak të Kurbinit mëngjesin e 10 dhjetorit.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për babë e bir. Gazetari i Ora News Elton Qyno raporton se ato janë S.L dhe djali i tij .Një nga pistat e hetimit është dhe aktiviteti që kishin dy djemte e viktimës.
Ora 10:00 Pamjet e para nga atentati në Kurbin
Në pamjet e siguruara nga Ora News makina me të cilën lëvizte 55-vjeçari është bërë shoshë nga plumbat.
Ora 09:30 Viktima Pilot Rroli njihet edhe me emrin Rakip. Ai njihet si tregtar i sobave me pelet.
Ora 09: 24 Policia informon: Viktima po udhëtonte me makinë
Kurbin/Informacion paraprak i policise: Rreth orës 08:45 ,në Sanxhak, Kurbin. në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi P.Rr, i cili po udhëtonte me automjetin e tij.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Ora 09:04 Vrasje ne Laç
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në dalje të qytetit të Laçit në vendin e quajtur Sanxhak mëngjesin e 10 dhjetorit 2021.
Burime për Ora News bëjnë me dije se një shtetas rreth 55 vjeç i cili po udhëtonte me makinën e tij është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën.
Mësohet se janë ngritur pika kontrolli dhe në ndihmë të policisë janë nisur 2 grupe të FNSH-së dhe një grup me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale.





