“Zhduken” gjurmët e tragjedisë, shembet pallati i fundit i dëmtuar nga tërmeti në Fushë Krujë

Në qytetin e Fushë Krujës, u shemb pallati i fundit i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit që kishte mbetur ende në këmbë. 18 familjet që jetonin aty kanë marrë shtëpi të reja.

Në Fushë Krujë u shemb këtë të shtunë pallati i fundit i dëmtuar tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

Dy fadroma punuan që në orët e mëngjesit, për të rrëzuar objektin që ishte shpallur i pabanueshëm nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit.

Gjithësej në qytetin e Fushë Krujës janë shembur 6 pallate të dëmtuar nga tërmeti i dy viteve më parë.

18 familjet që banonin në pallatin që u shemb këtë të shtunë, ashtu si ato që jetonin në 5 të tjerët të shembur më herët kanë marrë shtëpi në ndërtesat e reja.

Në kaudër të procesit të rindërtimit, në qytetin e Fushë Krujës janë ndarë 221 banesa të reja.

Ndarja e banesave të reja ka përfunduar edhe në Bubq e Thumanë, që ishte zona më e goditur nga lëkundjet shkatërrimtare të 26 nëntorit 2019.