Meta i kthen Ramës ligjin, rrëzon buxhetin 2022: Plan financiar antisocial
Nuk ka të ndalur lufta e dekretit të Presidentit Ilir Meta ndaj mazhorancës. Pa kaluar një orë nga injorimi i kryeministrit Edi Rama se nuk do t’ia dijë për dekretin për rishqyrtimin e ligjit për bashkëqeverisjen, ka ardhur reagimi i radhës nga Presidenti Ilir Meta.
Kreu i Shtetit rrëzoi më 10 dhjetor 2021 buxhetin 2022, duke rënditur 5 argumenta ligjorë dhe duke e cilësuar fillimisht si një plan financiar antisocial.
"Në Shqipëri rreth 33% e popullsisë ka të ardhura nën 5.5 $ në ditë. Paga minimale në Shqipëri sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është më e ulta krahasuar me vendet e rajonit. Numri i azilkërkuesve shqiptarë është 29 049."
Gjithashtu sipas kreut të shtetit buxhetit i vitit të ardhshëm ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale.
"Vlerësimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme dhe detyrimet e nënhuasë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë shumë më të ulta krahasuar me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vlera e projekteve PPP si me mbështetje buxhetore, por dhe me ofertë të pa kërkuar, vazhdon të rritet në buxhetin e vitit 2022. Me rritjen e vlerës dhe numrit të projekteve PPP, janë rrituredhe më shumë risqet fiskale."
Një tjetër problematikë sipas Ilir Metës ka të bëjë me nivelin e borxhit publik.
"Ngarkesa fiskale në raport me fitimin e biznesit është shumë e lartë, ndërsa performanca e mbledhjes së të ardhurave është e ulët. Evazioni dhe shmangiet tatimore vazhdojnë të thellohen si rezultat i diferencimit fiskal, i informalitetit të lartë dhe i përjashtimeve selektive."
Në arsyet e kthimit nënvizohet fakti se mungon mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë
"Moskujdesi i politikave fiskale ndaj sektorit të bujqësisë ka shkaktuar protesta masive të fermerëve. Ky buxhet i vitit 2022, muk reflekton përpjekje reale për të përmbushur kërkesat për mbështetje të fermerëve shqiptarë."
Gjithashtu sipas Ilir Metës në buxhetin 2022 mungon mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.


