Bashkëqeverisja/ Rama: Kush s'i përgjigjet qytetarit, paguan nga rroga dëmin" Mesazh Metës: Ligji do kalojë siç është
Rama prezantoi ligjin e bashkëqeverisjes në Shkodër. Ai u shpreh se nuk e e di për çfarë arsye Presidenti Meta e ktheu ligjin në Parlament, por ai do të kalojë ashtu siç është.
Në fjalën e tij kryeministri tha se me ligjin e ri do të ketë dy lloj sanksionesh ndaj punonjësve të administratës, të cilët vonojnë përgjigjet për qytetarët. Sipas Ramës, ata që nuk i përgjigjen hallit të qytetarëve, do të kenë ndjekje penale, por edhe sanksione financiare, pra që do iu duhet të paguajnë nga rroga e tyre dëmin e shkaktuar.
Rama: Përveç kësaj, është dhe ligji, që për arsye apo mosarsye të Presidentit, është kthyer në Parlament, por do të kalojë njësoj siç është dhe e kthen bashkëqeverisjen nga një mekanizëm i vullnetit të mirë, në një mekanizëm ligjor. Kjo do të thotë se kur qytetari aplikon për një shërbim dhe nuk i jepet përgjigje në kohë, atij i jepet e drejta të drejtohet në platformën “Shqipëriaqëduam.al” dhe të denoncojë faktin.
Ligjërisht denoncimi i qytetarit shkon menjëherë në rrugën e zgjidhjes, për të gjitha rastet kur qytetari ka të drejtë dhe përgjegjësit sanksionohen. Ka dy lloj rrugësh për sanksione, ai që ka qenë aty gjithmonë, pra ndjekja penale apo administrative për ata që konstatohet se kanë penguar qytetarin me qëllim, dhe sanksioni financiar. Pra, me ligjin e ri për vonesat e shkaktuara padrejtësisht ndaj qytetarit, personat përgjegjës sanksionohen financiarisht, paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar.
Rama shtoi se do të mbyllen sportelet dhe Kadastra dhe qytetarët mund të marrin shërbimet e tyre nëpërmjet telefonit. Rama u shpreh se shqiptarëve nuk do t'i duhet të kalojnë më nëpër sekserët që i është dashur të kalojnë për të zgjidhur hallin.
Rama: Do të mbyllen edhe sportelet e kadastrës. Ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do të ketë më sportele në Shqipëri, shërbimet do të merren nga telefoni, me postë, etj. Sot nuk ka nevojë të shkosh në Kadastër për të aplikuar për një shërbim. Kadastra do mbyllet si sportel, nuk do ekzistojë. Të gjithë sekserët dhe kanalet e llumit ku qytetarët kanë qenë dhe janë të detyruar të kalojnë për të zgjidhur halle me Kadastrën nuk do kenë më mundësi. Ne duam që brenda këtij mandati titulli i pronësisë të të vijë në telefon, në kompjuter, mos ketë më asnjë lloj lidhje me godinat dhe njerëzit nëpër godina.
Nëse deri sot qytetarët për të marrë një shërbim kanë qenë të detyruar që të shkojnë edhe në zyra të tjera për të plotësuar dosjen. Ata që e kanë mendjen të shohin xhepat si kasapi që hap dyqanin në mëngjes, nuk do shohin më njeri. Do shohin vetëm ekranin e kompjuterit.
Rama u shpreh se ky është një realitet sot që duhet përdorur dhe të gjithë duhet ta përdorin.
