Shiu e dëbora krijojnë probleme, Qafë-Thora e bllokuar, rrëshqitje dherash në Vlorë, Berat e Durrës
Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë krijuar probleme pothuajse në të gjithë territorin e vendit tonë. Problematika u shënuan në Rrugën e Arbërit, ndërsa në zonat malore të Shkodrës dëbora shkon deri në 1.5 metra, ndërsa problematika në akset rrugore për shkak të rrëshqitjes së gurëve ka pasur në Vlorë, Berat e Durrës.
Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë vijuar në të gjithë vendin tonë, ndërsa janë shoqëruar edhe me problematika.
Dëbora krijoi probleme të premten në Rrugën e Arbërit, ndërsa përdorimi i zinxhirëve u bë e nevojshme për mjetet.
Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë pa vendosur goma dimërore dhe zinxhirë.
Edhe në Qafë Thore të Shkodrës mësohet se dëbora ka arritur deri në 1.5 metra, ndërsa rruga është e kalueshme deri në fshatin Okal.
Sipas informacioneve dëbora në Vermosh arrin deri në 15 centimetra ndërsa në Qafë të Bardolecit arrin deri në 30 centiemtra.
Gjithashtu për shkak të problemeve në linjat elektrike, e gjithë njësia administrative e Kelmendit është pa energji elektrike prej dy ditësh.
Nga ana tjetër në Lezhë, në zonën depresive të kënetës së Kakarriqit në Balldre, janë rreth 200 hektarë tokë bujqësore të përmbytura.
Gjate natës kanë vazhduar reshjet e shiut e deborës në lartësite mbi 1100 m edhe në Juglindje të vendit aty ku trashësia e dëbores në Dardhë varion 20-30 cm.
Problematika nga reshjet e shiut janë shfaqur edhe në disa akse rrugore për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve.
Për shkak të reshjeve të shiut, tuneli në rrugën Kardhiq-Delvinë është shembur, ndërsa nuk dihet nëse shembja ka qenë vetëm në hyrje apo edhe në brendësi të tij.
Edhe në aksin rrugor Vlorë-Orikum, në Jonufër, rruga është bllokuar tërësisht për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar rrëshqitje të gurëve edhe në aksin nacional Berat-Skrapar, duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Drejtuesit e mjeteve u detyruan që të heqin vetë gurët në rrugë.
Rrëshqitje ka pasur edhe në aksin Lalëz-Bizë në Ishëm të Durrësit.
Mësohet se kjo situatë ka shkaktuar problematika kryesisht në transportimin e nxënësve.
Nga ana tjetër lumenjtë Ishëm dhe Erzen janë fryrë në zona të caktuara, por nuk janë konstatuar dalje nga shtrati.
