Atentat ndaj gazetarit/ 58-vjeçari qëllohet me plumb në kokë, ndërron jetë rrugës për në spital
Një gazetar filipinas që më parë ka punuar me Reuters është vrarë nga të shtënat me armë zjarri, thanë autoritetet të enjten (9 dhjetor.)
Jesus "Jess" Malabanan, 58 vjeç, u qëllua për vdekje të mërkurën vonë nga persona të armatosur të panjohur ndërsam ndodhej në një dyqan në Calbayog në provincën e Samar, tha policia.
Ai u qëllua me plumb në kokë dhe vdiq rrugës për në spital. Të dyshuarit janë arratisur dhe po punohet nga policia për identifikimin e tyre dhe motivin e sulmit.
Zëdhënësi i Presidentit Rodrigo Duterte, Karlo Nograles, tha se vdekja e Malabanan ishte një "vrasje tragjike" dhe u kërkoi dëshmitarëve të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes.
Task Forca Presidenciale për Sigurinë e Medies po shqyrtonte incidentin, tha Nograles, dhe po "eksploronte të gjitha këndvështrimet, duke përfshirë mundësinë që vrasja të lidhej me punën e tij si gazetar".
Malabanan ka punuar së fundi me Reuters në raportimin e agjencisë mbi luftën e Dutertes kundër drogës, e cila fitoi një çmim Pulitzer për raportim ndërkombëtar në 2018.

"Jemi thellësisht të pikëlluar kur mësuam për vdekjen e Jesus Malabanan," tha një zëdhënës i Reuters, duke e përshkruar atë si një "gazetar të talentuar dhe këmbëngulës".
Vrasja e Malabanan u dënua nga shoqatat e mediave lokale, aktivistët dhe politikanët, duke përfshirë Manny Pacquiao, një kampion boksi në pension dhe pretendent presidencial, i cili i kërkoi policisë të gjente vrasësit e tij.
