BE-Serbisë: Mohimi i masakrës së Reçakut, në kundërshtim me integrimin evropian

Zëdhënësi i Joseph Borrell, Peter Stano ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin.

Stano ka thënë se nuk mund të mohohet dhe as të modifikohet masakra që ndodhi në vitin 1999 në fshatin Reçak në Kosovë.

Mohimi i masakrës është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, tha ndër të tjera zëdhënësi i Borrell.

Komentet e Stanos, vijnë pasi Aleksandër Vulin e quajti gënjeshtër dhe falsifikim të tmerrshëm vrasjen e 45 shqiptarëve në Reçak. 

Ajo që ndodhi në Reçak dhe mizoritë e kryera atje në muajin janar të 1999 janë të dokumentuara mirë, tha Peter Stano për mediet kosovare. 
Të premten, ministri Vulin, vizitoi ekipin e një projekti filmik që po punon në realizimin e një serie të dokumentareve, ‘Dosja Kosova’ e cila bazohet në pretendimet e Serbisë mbi luftën e 1999.

Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun, por në atë kohë ne nuk ishim të aftë e as të zgjuar për t’i treguar botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte deklaroi Vulin për mediet serbe nga shesh xhirimi i filmit. 

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi celulat serbe në Kosovë e Serbi. 
Vulin e ka mohuar për të disatën herë në të kaluarën, Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një krim të fabrikuar.