Kosova miraton dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-19
Në Kosovë, nga 9 dhjetori, do të fillojë dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, konfirmoi të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
“Doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], por te të cilët, me kalimin e kohës, imuniteti vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë”, tha MSH-ja.
“Doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë”, sqaroi MSH-ja.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë në muajin shtator që të nisë me dhënien e dozave përforcuese.
Fushata e vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të marsit dhe, deri më tash, mbi 42 për qind e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht.
Nga vendet e rajonit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, Serbia ka vaksinuar 45 për qind të popullatës, Mali i Zi 41 për qind, Maqedonia e Veriut 38 për qind, Shqipëria 34 për qind dhe Bosnje e Hercegovina 21 për qind.
Të gjitha vendet e rajonit po ashtu kanë nisur me dhënien e dozës së tretë dhe asaj përforcuese kundër koronavirusit.
Më 25 nëntor, Komisioni Evropian ka propozuar që doza e tretë e vaksinës të jetë parakusht për udhëtim në Bashkimin Evropian për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, që përfshijnë edhe ata të Ballkanit Perëndimor. Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga 10 janari i vitit të ardhshëm.
Në Kosovë, të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç./REL/
I preu kokën motrës shtatzëne, arrestohet adoleshenti
7 Dhjetor, 13:50



