Kosova kundër propagandës ruse, Osmani në Samitin e Demokracisë: Do promovojmë paqe në gjithë botën

Gjatë samitit për Demokracinë të zhvilluar mes 110 shteteve, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është zotuar se Kosova do të kundërshtojë propagandën ruse dhe të promovojë paqe në mbarë botën.

Ajo tha se sundimi i ligjit do të forcohet përmes zbatimit të strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit dhe procesit të vettingut.

“Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm," tha Osmani.

Gjithashtu, Osmani tha se Kosova është në prag të themelimit të Këshillit Presidencial për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë samitit virtual, ajo u ndal dhe tek forcimi i rolit të gruas në shoqërinë e Kosovës.

“Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore,” u shpreh Osmani.

Në samitin e organizuar nga SHBA ishte vetë presidenti Joe Biden, që e startoi takimin duke ngritur shqetësimin për gjendjen kritike në të cilën ndodhet demokracia, e cila sipas tij po kërcënohet nga shtet autokrate si Rusia dhe Kina.