Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së?
Lista e zezë përfshin Zvonko Vesellinoviçin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.
Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Vesellinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.
Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Vesellinoviqin është edhe Millan Radojçiç, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë-Lista Serbe.
Radojçiç ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç.
Në listë është edhe Zhelko Bojiç, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviçit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.
Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, është po ashtu në listë.
Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviç, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.
Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.
