Ministri serb mohon masakrën e Reçakut: Është gënjeshtër dhe falsifikim i madh

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin ka mbështetur një nismë të një produksioni filmi, i cili do të dëshmojë për luftën në Kosovë dhe posaçërisht Masakrën e Reçakut, të janarit 1999.

Vulin ka inkurajuar regjisorët e filmit që do t'i bashkohet ‘Dosjes Kosova’, që të tregojnë të vërtetën për Reçakun, pasi sipas tij ajo që njihet sot është një gënjeshtër.

"Masakra e Reçakut është një gënjeshtër dhe një falsifikim i madh, është detyra e kësaj gjenerate që t’i tregojë botës se kush gënjen."

Ministri Vulin i cili njihet për retorikën e fortë kundër shqiptarëve tha se NATO besoi gënjeshtarët për të sulmuar Serbinë.

"Agresioni NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun."

Ministri i Brendshëm i Serbisë tha ndër të tjera se sot Serbia është më e aftë dhe më e zgjuar për të treguar se çfarë gënjeshtre ishte Reçaku, që solli më pas bombardimin e Serbisë.

"Detyra e këtij brezi është t'i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave. Gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër."

Në 15 janar 1999, forcat policore, paramilitare dhe ushtarake serbe masakruan 45 shqiptarë në fshatin Reçak, të cilën Serbia e refuzon të ketë ndodhur.