Ligji i bashkëqeverisjes, Rama: Nuk do ketë më korrupsion dhe ryshfet në administrata. Do mbyllen sportelet në 2022
Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet në Shkodër ku prezantoi ligjin për bashkëqeverisjen. Rama e cilëson këtë ligj si mekanizëm i ri detyrues ligjor, për ta çliruar qytetarin nga pesha e administratës, duke i dhënë akses të plotë në shërbimet administrative përmes smartfonit apo kompjuterit dhe duke e përballur administratën me pasojat e çdo vonese në shërbimin ndaj qytetarit.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ky është një transformim i madh i shërbimeve publike që kanë të bëjnë me dokumente.
Rama: Është e domosdoshme që ta mësojnë dhe kuptojë të gjithë qytetarët si një realitet që aty për tu shfrytëzuar nga ata. Sot ne kemi 95% të shërbimeve që shteti kryen për qytetarët të cilët i drejtohen zyrave të shtetit për një dokument të caktuar që janë në kompjuter apo në telefon. Janë shërbime të të gjitha llojeve dhe për të gjitha kategoritë. Vetëm 5% e shërbimeve nuk janë të disponueshme online për shkak se janë të lidhura domosdoshmërisht me prezencën e qytetarit.
Kryeministri shtoi se në vitin 2022 do të mbyllen sportelet.
Rama: Është një vendim i fortë, sepse mbase do të krijojë konfuzion, por është vendim i pashmangshëm, për të orientuar të gjithë qytetarët në sistemin e ri të shërbimeve, duke iu hequr nga kurrizi gjithë barrën e stresit, humbjes së kohës, ryshfeteve dhe atyre torturave që i dinë të gjithë. Sportelet do të mbyllen, nuk do të ketë më asnjë zyrë për të trokitur fizikisht, por me shërbimet online trokitja do të shkojë direkt aty ku duhet. Kjo është një pikë e madhe kthese në luftën kundër korrupsionit.
Do të jetë një proces i kontrolluar kompjuterikisht dhe të gjithë zyrtarë që janë në përfshirë në dhënien e shërbimeve do të jenë në monitorim kompjuterik. Askush nuk do mund t'ia hedhë fajin tjetrit. Nga ana tjetër asnjë qytetar nuk do mund të ankohet që jo duhet të paguaj lek, jo pa lek s'të japin një letër, jo këtu e jo aty. Gjëra që edhe ndodhin patjetër se nuk janë fantazi, pro këtu është një pikë e madhe kthese në luftën kundër korrupsionin dhe ryshfetit në raportin mes administratës dhe qytetarit.
Kryeminstri tha se janë mbi 1000 shërbime që jepen drejtpërdrejt nga platforma e-Albania.
