Lojëra fati të paligjshme në lokal, 3 të arrestuar në Korçë
Policia e Korçës ka goditur 2 raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Në pranga kanë rënë 3 shtetas, dy prej të cilëve pronarë të lokaleve ku ushtrohej ky lloj aktiviteti.
Blutë bëjnë me dije se si rezultat i kontrolleve të ushtruara, në lagjen nr. 13, Korçë, konkretisht në lokalet e marra në përdorim nga shtetasit D. Zh. dhe E. Sh., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 aparate celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
"Në vijim të veprimeve të mëtejshme hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. Zh., 31 vjeç; E. Sh., 30 vjeç dhe V. L., 24 vjeç, banues në Korçë."
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale "Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin", "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Fshehja e të ardhurave".

